Bamir Topi: Platini, lojë të shëmtuar për interesat e Serbisë

në një reagim pas vendimeve të UEFA-s, për “Koha Jonë”, teksa shprehte qartë zhgënjimi i tij, ashtu sikurse “shpërthyen” në rrjetet sociale të zemëruar me miliona shqiptarë kudo në botë, pasi u zbulua zyrtarisht vendimi për t’i dhënë fitoren 3-0 Serbisë në tavolinë. Të gjithë shqiptarët njëzëri fajësonin Mishel Platini, i cili u kthye deri kur u dha vendimi në “aleatin më besnik” të serbëve, por fill pas një historie që nuk kishte nevojë as për koment dhe as për t’u menduar gjatë mbi të vërtetën e asaj që ndodhi në Beograd. Pamjet filmike dhe gjithçka ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit “flisnin” qartë mbi racizmin dhe dhunën e paprecedentë, që pa e tërë audienca botërore. – “Jam shumë i zhgënjyer, si të gjithë shqiptarët e tjerë, që prisnin sadopak drejtësi pas asaj që ndodhi në Beograd,” – shton më tej Topi, sipas të cilit, pas ndeshjes me Serbinë në UEFA nuk ishte thjesht fati i një topi të rrumbullakët, por ndjenjat dhe emocionet e një kombi të tërë, që priste minimalisht të vendosej drejtësia. – “Duhet të ndiqen të gjitha hapat ligjorë dhe të demaskohet ky vendim arbitrar. Federata si institucion duhet t’i përgjigjet hap pas hapi betejës ligjore, për të fituar të drejtën që i takon. Incidentet dhe gjithçka ndodhi në Beograd u panë nga e gjithë bota. Duhet t’i thuhet edhe në sy Platini, se pse preferoi të mbante një qëndrim të tillë pas ndeshjes, kur ende nuk ishte dhënë një vendim nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Etikës, në UEFA. Ai foli fillimisht vetëm mbi një fluturake që u shfaq mbi fushë dhe dënoi atë, por nuk tha asgjë për dhunën. Foli disa herë pas ndeshjes, por sërish anashkaloi dhe nuk e përmendi dhunën dhe as përgjegjësitë që kishte Serbia si organizatore ndeshjes. Ndërkohë, ajo fluturake nuk qe gjë tjetër, veçse lojë e tyre që duhet të kishin organizuar si duhej ndeshjen,” – shprehet Topi.

Si në një lojë të kurdisur nga vetë Platini dhe serbët, kreu i UEFA-s u shpreh në fund të deklaratave që dha pas ndeshjes se do të jenë komisionet përkatëse, që do të vendosin mbi ndeshjet dhe paralajmëroi se di të dënohen dy federatat. – “Por imagjinoni se ç’vendime mund të merreshin për ngjarje të tjera, që do të kishin ndodhur në ambjente “të errëta”, larg syrit të publikut,” – shprehet Topi. Por duket se vendimet e fundit të UEFA-s janë pjesë e një loje të “shëmtuar” politike. Kreu i FRD-së, Topi, thotë se më tepër se e drejta, apo ndihma që mund t’i jepej futbollit pas kësaj ngjarje, janë bërë llogari karrigesh nga disa prej drejtuesve të institucioneve, që kërkojnë në emër të politikës dhe votave, të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet. Kësisoj, Serbia dhe aleatët e saj politikë kanë lobuar fuqishëm gjatë tërë kësaj kohe deri në atë pikë sa Platini i mbylli “sytë” para dhunës dhe pa në rastin konkret interesat e karriges së tij. Mbi këtë këndvështrim, Bamir Topi thekson se Shqipëria mund të nxjerrë mësime që të ndreqë sa më parë punët e saj të brendshme për t’u prezantuar sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare. Edhe në sport, futbollin vendas, e fusha të tjera, sidomos në atë të drejtësisë në Shqipëri, e njëjta gjë ndodh shpesh, ku ka shumë probleme që vijnë nga interesa politike dhe të konjukturave të caktuara, që në vend të japin zgjidhje të drejta përpos rregullave e ligjeve, bëjnë llogaritë e karrigeve të tyre. Për hir të këtyre interesave dhe karriges, njeriu gabon dhe kjo tani i ndodh një prej ish-futbollistëve më të mëdhenj të historisë botërore, i cili drejton prej vitesh UEFA-n. Si ish-drejtues i shtetit shqiptar, Bamir Topi, është takuar disa herë më parë me Mishel Platini dhe ka mbajtur marrëdhënie miqësore me të për hir të institucioneve, mirëpo prej ndeshjes së Beogradit, opinioni ndaj ish-lojtarit të Juves, tre herë fitues i “Topit të Artë”, ka ndryshuar. – “Platini e kam pasur mik, nisur edhe nga pozitat institucionale, e kam respektuar, por kjo nuk më pengon ta qortoj pas këtyre vendimeve. E kam adhuruar edhe kur ishte lojtar, por në këtë rast sërish nuk më pengon asgjë ta kritikoj mbi qëndrimin që mbajti, pas gjithë asaj që ndodhi,” – përfundon Bamir Topi.

Topi: Vizita e Ramës në Beograd, nuk ka lidhje me vendimet e UEFA-s

Në lidhje me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Beograd, vizitë që u shty për më 10 nëntor prej tensionit që erdhi fill pas ndeshjes, është aluduar gjatë javës së fundit se ndërhyrjet politike të vendeve të fuqishme të BE-së në UEFA, kanë pasur si qëllim që të jepej një vendim sa më i pranueshëm, si nga ana e Shqipërisë ashtu dhe nga Serbia, që kjo vizitë të realizohet medoemos. Ish-Kryeministri Sali Berisha pretendoi madje se vendimet e UEFA-ishin pjesë e marrëveshjes Vuçiç-Rama, në dëm të ekipit tonë kombëtar. Por Bamir Topi hedh poshtë çdo aludim, për ndonjë ndërhyrje të mundshme nga BE-ja. – “Janë fjalë kot që lëshohen në erë, por nuk ia vlen të lodhesh e të merresh me to. Kjo është vizitë institucionale mes dy vendeve, e programuar prej kohësh, me ndërmjetësimin ndoshta edhe të BE-së, por çdo hap i ndjekur nuk mund të kushtëzohet nga ndeshja e futbollit apo vendimet që u dhanë më pas,” – u shpreh Bamir Topi.     

Nga Aranit Muraçi